Vetëm 3km nga qyteti i Pejës në drejtim të Grykës së Rugovës fillojnë shtigjet e ngjitjes në shkëmbinjë. Tani në këtë territor malor janë të hapura gjithsejtë 9 sektore të ngjitjes në shkëmbinjë të cilat njihen me emra të ndryshëm. Zonat janë lehtë të arritshme dhe përmbajnë nga 1 deri në 20 vija të ngjitjes me gjatësi prej 10 deri 280m dhe vështirësi prej 5 deri në 8b+. Shtigjet janë të hapura në mënyrë profesionale nga anëtarët e shoqatës Marimangat dhe mbikëqyrje të ekspertëve Italian, kështu që siguria është në nivel dhe kontrollohen në çdo fillim të sezonës nga anëtarët e shoqatës Marimangat e Pejes.
Sektori 1 / Kilometri 3-të – është sektori i parë ku mund të bëni ngjitje. Aty, për tani është e hapur vetëm 1 vijë për ngjitje e cila ka gjatësi prej 35m dhe vështirësi të ngjitjes 7c+. Është një zonë me potencial të mirë për hapjen e vijave të reja të ngjitjes.
Sektori 2 / Kilometri i 3-të – Është sektori i dytë i cili është hapur në vitin 2020. Kjo zonë është shumë atraktive edhe për të qëndruar gjatë ditës pasi që jeni në një lartësi ku keni pamje të mrekullueshme të Grykës së Rugovës dhe lumit Lumbardhi. Në këtë sektor janë të hapura 18 vija të ngjitjes. Gjatësia e tyre ndryshon nga 15 deri 30m ndërsa vështirësia nga 6a deri në 7a. Është një sektor i cili ofron gjithashtu kushte për ta kaluar një ditë të bukur pasi që ka mjaft hapsirë dhe intimitet përderisa ju keni pamje shumë të bukur nga gryka e Rugovës.
Sektori 3 / Jezera – është sektori e tretë ku mund të bëni ngjitje në shkëmbinjë. Është vendi që më së tepërmi preferohet për ngjitje. Gjinden 10 shtigje për ngjitje me gjatësi prej 10m deri 30m ndërsa vështirësia e tyre është nga 5 deri në 7b, poashtu në këtë zonë mund të bëni kamping pasi që terreni është shumë i përshtatshëm dhe aty afër ka edhe ujë për pije.
Sektori 4 / Born – Është sektori e katërt për ngjitje e cila është hapur në vitin 2017 nga Marimangat e Pejes. Në përgjithësi ka 15 vija për ngjitje të cilat kryesisht nuk janë të vështira (nga 5a+ deri 6c+). Pra është një sektor shumë i përshtatshme për ngjitje edhe për fillestarët që dëshirojn të provojn dhe të kenë aventura të ngjitjes e gjithashtu për ata që dëshirojn të zhvillojn ushtrime pasi që vijat kanë vështirësi dhe gjatësi të ndryshme.
Sektori 5 / Kilometri 5-të – është sektori e pestë i ngjitjes me gjithsejt 7 vija për ngjitje. Është vend i preferuar pasi që vijat janë të ndryshme me gjatësi nga 10 deri në 70m ndërsa vështirësia e shtigjeve është nga 5 deri në 8a. Preferohet gjithashtu ky sektor pasi që është mu përskaj rrugës dhe nuk ju duhet të bartni paisjet deri tek vendi i ngjitjes.
Sektori 6 / Plazhi i Marimangave – Zona e 6-të e ngjitjes është e njohur me emrin “Plazhi i Marimangave” dhe gjindet vetëm 100m larg nga zona e pestë e ngjitjes apo menjëherë pas tunelit të parë në Grykën e Rugovës. Janë të hapura 6 vija të ngjitjes të cilat kanë gjatësi prej 20 deri në 30m. Preferohet për ngjitës profesional pasiqë vështirësia e ngjitjes në 4 shtigje është nga 8 deri 8b+.
Sektori 7 / Sektori Ujvares – Gjindet në fshatin Reka e Allagës. Është përgjatë rrugës kryesore të cilën e ndanë lumi po me të njejtin emër të fshatit. Më saktësisht ky sektor gjindet afër shtegut të ujëvarës. Në këtë sektor gjinden gjithsejt 15 shtigje të ngjitjes me vështirësi nga 6 deri në 7b+ dhe gjatësi të ndryshme.
Sektori 8 dhe 9 / Drelaj – Në sektorin Drelaj janë dy nën-sektore për ngjitje. Nën-sektori i parë apo sektori A gjindet mu në fshatin Drelaj në shtegun që lidhet me fshatin Pepaj. Është sektori më i afërt për zhvillimin e aktivitetit të ngjitjes në shkëmbinjë dhe shihet mu nga fshati. Aty mund të gjeni vija të ngjitjes mjaft atraktive dhe me vështirësi të ndryshme duke filluar nga 6 deri në 7b+, ndërsa gjatësit e këtyre vijave ndryshojnë nga 10 deri në 30m lartësi. Ndërsa nën-sektori B gjindet poashtu në fshatin Drelaj afërsisht 20 min ecje largësi. Për të arritur tek ky vend duhet ndjekur rrugën që lidh me fshatin Koshutan. Saktësisht gjindet në vendin e quajtur Gerla e Koshutanit e cila është një Grykë shumë e bukur të cilat kanë vështirësi prej 6 deri në 7c+ ndërsa gjatësit e shtigjeve sillen nga 10 deri në 20m.